Lefterie Mydini, gruaja plot halle dhe probleme nga Erseka, është shprehur para gazetarit Xhensil Shkembi për jetën e saj plot e përplot siklete dhe mundime.
E martuar me dëshirë dhe dashuri por vetëm lumturi nuk pa në jetën e saj. Bashkëshorti i saj e rrihte dhe e dhunonte. Sot ai i ka marrë një prej fëmijëve dhe nuk e le të ketë kontakt me të. Fëmijët e tjerë po i rrit me mundime, përpiqet t’u plotësojë dëshirat dhe të mos i ndajë nga shokët.
Rrëfimi i saj;
“Për 15 vite rresht u dhunova nga burri.
Trupin e kam ende me shenja.
Nuk di ndonjë cep të fytyrës ku nuk kam nxjerrë gjak.
Nuk fola. Nuk fola vetëm për fëmijët.
Të rriteshin me baba.
Kam 3 fëmijë, dy djem e një vajzë. I kam si yje. Si t’i thoja prindërve që me rreh burri? Unë vet e zgjodha.
Iku në Greqi. Do punoj, do bëj lek, do mbaje familjen thashë.
Shkoi dhe gjeti një tjetër. Më kërkoi divorcin.
Më mori çupën. 13 vjeç.
Kam ditë pa ja dëgjuar zërin. Nuk e lë ai të hapë telefonin. Më qan shpirti për çupën.
Djemtë? Djemtë i kam sytë e mi. Më vjen keq, nuk u plotësoj dot dëshirat.
Po rri me qera.
Shtepia ka lagështirë.
Rroba t’i vesh nuk kam.
Nganjëherë nuk kam as buke t’u jap. U lyej bukën me vaj e kripë. Kaq është dreka për ta.
Dru nuk kam. Nuk i ngroh dot. Batanije u vendos tre. Pastaj i pushtoj. I pushtoj fort. I përqafoj me gjithë forcë. Si shqiponja të sajat. Një ma mori, më mori të vetmen çupë, djemtë nuk ja lë. Le të më vrasë.
Jeta ime? Nuk kam jetë. Veç fëmijët kam.
Për ata po rroj. Të jem sa të më rriten djemtë. Mos u vijë turp nga shokët. Të kenë barkun plot.
Për fëmijët, veç për ta. Për askënd tjetër. Veç për fëmijët. Për buzëqeshjen e tyre. I dua. I dua unë, por nuk i dashka kjo jetë. Copë bëhem por nuk i gëzoj dot. Duan bukë, por bukë nuk kam… “ – është shprehur Lefteri Mydinit nga qyteti i Ersekës.


