Kohët e fundit janë shtuar rastet kur qytetarët i bien shkurt duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe duke u bërë një potencial serioz për aksidente në rrugore.
Qytetarët rrezikojnë jo vetëm veten e tyre, por edhe drejtuesit e automjeteve duke kaluar mes për mes autostradës, vendeve të papërcaktuara me vija, deri edhe në kryqëzime të rrezikshme.
Jo të pakta janë rastet kur drejtuesit e automjeteve nuk kanë pasur faj dhe kanë përplasur njerëz pasi ata ecin keq në rrugë apo kryqëzime. Por një situatë e tillë nuk do të tolerohet më dhe pas 7 vitesh nga hyrja në fuqi të dispozitave ligjore, Policia Rrugore ka nisur aplikimin e gjobave edhe për këmbësorët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Në nenin 188 të Kodit Rrugor, këmbësori i cili shkel rregullat e qarkullimit rrugor gjobitet nga 500 deri në 2 mijë Lekë.
Sipas INSTAT, këmbësorët janë të dytët për shkakun kryesor të aksidenteve rrugore. Në 16 % të rasteve aksidentet ndodhin për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga këmbësorët.