Pogradeci, përveçse është qytet i turistëve të shumtë, i adhuruesve të ujit të ëmbël, “muaji i mjaltit” të sapomartuarve, është edhe qytet i piktorëve, shkrimtarëve, artistëve dhe politikanëve.
Vetëm 10 km larg qytetit të Pogradecit, në një hotel të zhytur buzë liqenit, takuam politikanin dhe shkrimtarin e njohur Sabri Godon, i cili bariste qetësisht, çapngadalë e i menduar buzë bregut të liqenit. Politikanin dhe shkrimtarin e njohur Sabri Godo ka ardhur një ditë më parë në Pogradec dhe është nën shoqërinë e bashkëshortes së tij. Ai në Pogradec vjen në çdo stinë: në verë, në vjeshtë dhe në dimër.
Pas disa minutash baritjeje anës liqenit, ai ulet në cep të lokalit dhe vëren qetësinë e liqenit, e cila më pas përzihet me klithjen e pulëbardhave.
Avujt e kafesë së ngrohtë përzihen me fjollën e tymit të cigares, duke i dhënë një tis ëndërrimtar që e detyron të kthehet në vite të shkuara, kur ai vinte pothuajse çdo verë në Pogradec.
– Z. Sabri, ju vini shpesh në Pogradec?
– Po, është e vërtetë. Në Pogradec vij gjithmonë me një kënaqësi të veçantë. Më duket sikur ky qytet të bën magji; edhe kur largohesh prej tij, merr me vete pamjet e mrekullueshme të qytetit e liqenit, ajrin e pastër dhe mbresat e njerëzve të mirë dhe të gëzuar që jetojnë në këtë qytet.
Unë kam shumë kujtime nga Pogradeci. Kam hyrë në bisedë me shumë njerëz që të thonë gjëra të këndshme dhe të mençura, që të ngelen në mendje për një kohë të gjatë. Në Pogradec, desha të theksoj, ka njerëz optimistë me vlera pozitive, që e çmojnë miqësinë. Ja, po ta them sinqerisht, po të kisha mundësi, jo vetëm do të pushoja në Pogradec, por do të qëndroja në këtë qytet gjysmën e vitit këtu dhe gjysmën tjetër në Tiranë.
Në Pogradec kam shumë të njohur dhe miq, si piktorë, mjekë, shkrimtarë dhe intelektualë të shquar. Dhe një fakt tjetër desha të theksoj: në Pogradec ka qytetari, e cila shkon në një harmoni të plotë me bukuritë që ka ky qytet.
Kam bredhur në shumë vende të botës, por liqen kaq të bukur, me këto brigje të mrekullueshme, nuk kam parë askund tjetër dhe këtë e them me shumë sinqeritet.
– Zoti Godo, keni ardhur thjesht për pushime apo jeni duke shkruar diçka?
– Po, është e vërtetë se, përveçse kam ardhur për të pushuar pak – se kohët e fundit kam qenë pa qejf, kam pasur disa probleme shëndetësore – për të rimarrë forcat, më mirë se në Pogradec nuk ka. Miqësisht po ju them se kam ardhur që të ripunoj një roman timin të shkruar shumë vite më parë.
Jam duke e ripunuar këtë roman që ka kaluar vite më parë pa u vënë re. Romani ka një histori të çuditshme, që mua gjatë ripunimit po më pëlqen shumë ajo që po bëj. Kjo më tremb, pasi armiku i një shkrimtari është kur i pëlqen shumë ajo që shkruan.
– Mund të na thoni titullin e këtij romani që po ripunoni?
(Qesh) – Nuk kisha qejf ta bëja publike, po e them. Romani i ri mund të titullohet “Rrathët e Dervishit”. Besoj se shumë shpejt do të futet në shtyp dhe kam besim që pas ripunimit do të pritet mirë nga lexuesit.
– Zoti Godo, nuk shpëtojmë dot pa ju bërë një pyetje nga politika. Ju, si bashkëhartues i Kushtetutës dhe si politikan i njohur, si e vlerësoni situatën më të fundit?
– Të falënderoj për këtë pyetje që më bëtë dhe ja ku po e them troç. Një shtet ka disa kollona mbi të cilat mbahet. Duhet të jemi të kursyer në deklaratat që bëjmë, se bëhemi qesharakë; duhet të jemi seriozë në ato që nxjerrim nga goja.
Unë shpresoj se, duke filluar nga kjo vjeshtë, do të zgjidhet konflikti mazhorancë – opozitë. Duhet të kuptojnë palët që vendit i bëjnë dëme të pallogaritshme, duke i sjellë penalizime nga Europa. Madje, është e turpshme që në sytë e Europës jemi shfaqur si një popull grindavec. Dhe të gjitha këto kanë një kosto, të cilën e paguajmë ne të gjithë.
Unë desha të shtoj se edhe gazetat duhet të jenë të kujdesshme kur nxjerrin një frazë të pakujdesshme në shtyp. Shikoj shpesh me keqardhje që lëshohen plot gjëra të papërgjegjshme. Dhe diçka tjetër desha të shtoj: duhet vënë mirë në binarë gjyqësori, në të gjitha shkallët e tij, se kështu nuk mund të ecet.
– Zoti Godo, ju thatë se romani që do të futni së shpejti në shtyp, “Rrathët e Dervishit”, ju pëlqen veçanërisht. Ky roman do të jetë me interes për lexuesin? Mund të na thoni diçka rreth subjektit?
– A e lëmë vazhdimin e intervistës për fundjavën tjetër, kur të vij në Pogradec, dhe do të jap linjat kryesore të romanit?
Por, miku im Godo, i njohur që para 35 vjetësh kur unë punoja gazetar te revista Hosteni, nuk erdhi më në Pogradec. Unë po nis gjysmën e intervistës së plakut të urtë dhe të mençur Sabri Godo.
Bardhyl R. Berberi