Pas 70 vitesh, opereta e parë shqiptare, “Agimi”, rikthehet në skenën e Korçës. Mik Festival ka vendosur të hedhë dritë mbi këtë vepër historike të kompozitorit Kristo Kono (Artist i Popullit) dhe libretistit Kolë Jakova, me një rivënie të veçantë.
Në vitin 1954, “Agimi” u shfaq për herë të parë në kinemanë-teatrin “Morava” dhe më pas në Operën e Tiranës në vitin 1955. Që nga ajo kohë, vepra nuk është rikthyer më në skenë, duke mbetur e panjohur për audiencën e sotme shqiptare.
Opereta, e ndarë në tre akte, përshkruan dashurinë për jetën dhe atdheun, shqetësimin për shokun dhe përpjekjet për të mbrojtur traditat e Malësisë.
Kjo rivënie bashkëkohore në Mik Festival do të rikthejë në sipërfaqe muzikën e realizuar nga Kristo Kono, duke ofruar një përvojë unike dhe të veçantë për publikun shqiptar në 70-vjetorin e saj.