Rrëshqitja e një masivi të madh dherash nga mali ka bërë që të bllokohet rruga e fshatit Dushar në Njësinë Administrative Moglicë.
Ky masiv dherash rrezikon shembjen e urës në rrugën kryesore të këtij fshati duke bllokuar kështu prej dy ditësh lëvizjen e banorëve.
E gjithë kjo situatë sipas kryetarit të Bashkisë së Maliqit, z.Gëzim Topçiu, është krijuar nga reshjet e shumta të shiut në ditët e fundit.
Nga ana e Sektorit të Rrugëve Rurale, pranë Bashkisë Maliq, bëhet me dije se që prej dy ditësh po punohet për largimin e dherave dhe inerteve, por sasia e madhe e dherave që zbret nga mali e bën tejet të vështirë punën për shpëtimin e kësaj ure që shërben për lëvizjen e gati 100 banorëve të fshatit Dushar.
“Nëqoftëse nuk arrihet të shpëtohet dalja jashtë funksionit të kësaj ure atëherë do jemi të detyruar të ndertojmë një tjetër urë për këta banorë. Për të bërë këtë do na duhet të bëjmë dhe devijimin e rrugës që lidh njësinë administrative me fshatin që në këtë stinë vere ka më shumë lëvizje, kjo pasi banorët rikthehen për t’u marrë me bimë mjekësore,”- është shprehur kryebashkiaku Topçiu.