Fundjava që lamë pas e shndërroi Korçën në kryeqytetin e fjalës së bukur, duke mirëpritur poetë nga e gjithë bota në edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”.

Ky festival i përvitshëm, që prej dekadash nderon artin e poezisë, u mbajt sërish në qytetin e serenatave, duke krijuar një atmosferë të veçantë reflektimi, emocioni dhe frymëzimi përmes vargjeve që kapërcejnë kufijtë.

Simbolika e festivalit u ruajt edhe këtë vit me mbjelljen e një peme në Parkun e Poetëve, një gjest që nderon trashëgiminë e fjalës së shkruar dhe lë gjurmë të përjetshme të poetëve pjesëmarrës.

Poeti Laureat i këtij edicioni u shpall Sadik Bejko, i cili mbolli pemën tradicionale të festivalit, ndërsa çmimi i madh “Kurora e Poezisë” iu dha poetes Maklena Nika. Poeti izraelit Tsvika Nir u vlerësua me çmimin “Poezia më e Bukur”, ndërsa çmimi “Dritëro Agolli” shkoi për poetin Dinos Kubatis nga Greqia. Çmimi “Asdreni” iu dha poetit Zyhdi Dervishi, dhe çmimi special u fitua nga poetja Rakela Zoga, me motivacionin: “Për këndvështrimin origjinal dhe për përcjelljen e vlerave universale përmes kumtit poetik.”

“Netët Korçare të Poezisë” u kthyen në një udhëtim të pasur shpirtëror për 34 poetë pjesëmarrës nga Italia, Franca, Izraeli, Monako, Greqia, Kosova dhe Shqipëria, të cilët sollën jo vetëm poezi të veçanta, por edhe frymë, ndjesi dhe kulturë nga vendet e tyre.

Në mesin e emrave pjesëmarrës ishin: Angela Valenti Durazzo, Bardhosh Gaçe, Pierre Ech-Ardour, Helena Halilaj, Albin Lushi, Raimonda Moisiu – Sade, Entela Kasi, Vlora Konishevci, dhe shumë të tjerë që me vargjet e tyre ndërtuan ura mes kombeve dhe shpirtit njerëzor.

Festivali u realizua me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, bibliotekës publike “Thimi Mitko” Korçë, Bashkisë Korçë dhe PEN Albania, duke forcuar rolin e Korçës si një nga qendrat më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore në rajon.


