Një ditë më parë në aksin Pogradec-Lin një furgon që transportonte nxënës shkolle u përplas me një mjet tjetër duke rrezikuar jetën e dhjetra fëmijëve.
Paraprakisht dyshohet se shkak ishte lagështira në rrugë por kjo nuk është e vetmja….
Njëse analizojmë sadopak do vëmë re shkelje të cilat policia rrugore dhe institucione të tjera duhet të nisin nga puna ti rregullojnë. E para furgoni edhe pse transportonte nxënës nuk është i dedikuar për këtë punë. Në botë autobusët për fëmijë shkolle kanë ngjyra të përcaktuara (të verdhë) dhe janë të pajisur me të gjitha shenjat dalluese se ky furgon ka fëmijë shkolle.
E dyta furgona të tillë nuk bëjnë transport tjetër, pra pasagjerë por janë të dedikuar vetëm për fëmijët.
E treta, në botë nëse shoferi konsumon qoftë edhe një gjysëm gote alkool e sheh diellin vetëm nga dritarja e birucës.
Dhe e fundit në botë fëmijët nuk palosen si stiva drurësh, por ulet secili vendin e tij. Mjafton që policia të bëjë një kontroll në mëngjes dhe do të gjejë brenda këtyre furgonave fëmijë me fytyra të “deformuara” nga shtypja që i bëjnë njëri tjetrit pasi janë mbi kapacitet. Nga moshat e kopshtit deri në klasë të 9 apo gjimnaz që rrijnë në këmbë, pasi furgoni nuk i merr.
Dikush mund të thotë, sa shumë që kërkon edhe ti. Po a aspirojmë të shkojmë në Europë?
Tashmë që shumë Europën e jetojnë e dinë që një trajtim i tillë i nxënësve ndodh vetëm në vendet e botës së 3-të.
Kështu që hapat e parë që duhet bëjë policia janë:
- Logimi i furgonëve që të dallohen qartë që janë furgona shkolle.
- Vendosja e disa të tillëve për aq nxënës sa ka.
- Dhe shoferë të përgjegjshëm që nuk avullojnë alkool kur ngasin mjetin.
Deri atë ditë, mos u çudisni se përse fëmijët torturohen apo aksidentohen.