Një ngjarje e pa precedent është shënuar ditët e fundit në Pogradec. Përmendorja e ngritur për të kujtuar dhe nderuar trimat e Gorës dhe Mokrës pranë Gurit të Kamjes është thyer në mënyrë barbare.
Ngjarja është denoncuar edhe nga Shoqata Kulturore Niça, e cila ka postuar pllakën e thyer të përmendores në të cilën shkruheshin pak rreshta për atë se çfarë ka ndodhur në Korrik të 1912 në këtë zonë, ku Kajo Babjeni me trima të tjerë nga Gora dhe Mokra ngritën flamurin kombëtar në Gurin e Kamjes duke shpallur mëvetësinë e zonës.
Burime për kolibri.al bëjnë me dije se kjo nuk është rastësi. Ditë para se në 28 Korrik të festohej kjo ditë ka pasur debate të forta mes shoqatave gorare në lidhje me pllakatën dhe stë se çfarë shkruhej në të. Kjo pasi duket se edhe shoqatat janë bërë aq shumë, si partitë politike saqë sot duan të shkruajnë atë çfarë duan dhe si duan ato nëpër pllakata. Njëra prej shoqatave gorare ka kërkuar që që të hiqej pllakata dhe të ndryshohej mbishkrimi, por kjo gjë është refuzuar me forcë nga shoqata tjetër.
E duke qenë se nuk gjetën gjuhën në bisedime, sherre e shamata, duket se zgjidhja u gjet një vandal dhe shkoi e theu pllakën. Se cili është mesazhi në këtë mes, vetëm këta pseudoshoqatarë mund ta dinë. Por diçka është e sigurtë, Kajo Babjeni po sheh nga lart dhe po fërkon mjekrën e tij i mërzitur, teksa sheh se gorarët janë bërë në 3-4 copa shoqatash dhe po hanë kokat e njëri-tjetrit tashmë.


