Policia e Pogradecit ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Buçimasi”, duke goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në doza.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasja Sh. H., 64 vjeçe, banuese në fshatin Buçimas, ndërsa u shpall në kërkim djali i saj, shtetasi Xh. H., 30 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, 2 peshore elektronike dhe një shumë lekësh të dyshuar si e përfituar nga shitja e drogës. Po ashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. T., 21 vjeç, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike që dyshohet se e kishte blerë nga 64-vjeçarja.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat turistike.


