Presidenti Macron vlerëson Korçën: E frymëzuar nga modeli ynë republikan
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ka shprehur një vlerësim të veçantë për qytetin e Korçës dhe rolin e saj në historinë e marrëdhënies së ngushtë midis dy vendeve.
Në një takim me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti Macron vlerësoi se Korça, nëpërmjet historisë së saj, është një simbol i një lidhje të fortë midis dy vendeve dhe shtoi se lidhjet kulturore dhe arsimore, kanë kontribuar në thellimin e kësaj marrëdhënieje.
“Të gjithë e dinë që republika e shqiptare e Korçës e frymëzuar nga modeli ynë republikan, e shpallur në dhjetor 1916 nën mbrojtjen e ushtrisë franceze ishte tharmi i Shqipërisë modern”, u shpreh Macron.
“Ende sot varreza ushtarake e Korçës ruan kujtimin e çmuar të sakrificës së Francës, për pavarësinë dhe lirinë tuaj. Këto faqe që kemi shkruar bashkë, ju na jepni shpërblimet më të bukura. Një frankofoni dhe një frankofili e gjallë dhe e veçantë. E në periudhën totalitare frëngjishtja ishte gjuha e huaj që mësohej më shumë në shkollat shqiptare. Frymëmarrje apo shpresë, të gjithë ata që aspirojnë për liri. Liceu i Korçës i themeluar dikur nga Franca ishte gjithashtu një simbol shumë i fortë i kësaj.
Aleancat franceze, gjimnazet, licetë, që përfaqësohen nga shumë profesorë këtu vazhdojnë ta përjetësojnë këtë lidhje. Kur Shqipëria ishte përsëri e lirë, Franca ishte vendi i parë që nënshkroi me të traktatin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit me 12 dhjetor 1994, duke vulosur karakterin e veçantë dhe forcën e rigjetur të marrëdhënies sonë”, deklaroi Presidenti Macron.