Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë një interviste televizive se qëndrimet publike dhe narrativat e ngritura rreth projektit të investimit në ishullin e Sazanit dhe lidhjes së tij me Izraelin janë të krijuara dhe të nxitura nga një ushtri profilesh jo reale në rrjetet sociale.
Roli i profilizimeve teknologjike në diskursin publik
Sipas kreut të qeverisë, këto adresa jo reale janë produkt i zhvillimeve teknologjike dhe shërbejnë për t’u dhënë zë interpretimeve të caktuara. «Ata i japin zë narrativave të ndryshme. Cfarë lidhje kishte kjo me marrëdhënien me Izraelin. Pra ishte narrativë e nxitur nga kjo ushtri ushgtarësh jo real, të rritur në laboratorët e teknologjisë sepse rriten, marrin pamje, jetë formë dhe nuk i njeh a janë real apo jo», u shpreh Rama.
Kapacitetet e mbrojtjes kibernetike dhe ndërhyrjet e huaja
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te masat që Shqipëria ka marrë për rritjen e sigurisë dixhitale pas sulmit kibernetik nga Irani, duke theksuar se vendi ka forcuar aftësitë për identifikimin e ndërhyrjeve të huaja. «Ne kemi krijuar mbrojtjen kibernetike nga halli sepse u ndodhëm përballë një sulmi nga Irani. Nuk ja dolëm të mbrohemi dhe pamë që duhet të forcohemi në këtë aspekt. Ne kemi sot një teknologji të mbrojtjes kibernetike që është top of the top, ndaj dhe kemi edhe shumë kapacitete identifikuese për ndërhyrjet e huaja. Kemi mësuar që përpara së të atribuojmë sulmin, ta bëjmë këtë duke u siguruar për të vërtetën», deklaroi ai.


