Pas reshjeve të dendura të dëborës, të gjitha akset rrugore kryesore dhe të brendshme janë të hapura dhe të qarkullueshme për mjetet. Autoritetet lokale kanë bërë pastrimin e rrugëve dhe kanë hedhur kripë për të lehtësuar lëvizjen.
Aktualisht, po vijon puna në çdo pjesë të qytetit për të adresuar problematikat e shkaktuara nga dëbora. Ndërkohë, në zonat rurale nuk raportohen probleme serioze, por drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm, pasi në disa zona është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve.
Për shkak të reshjeve të shoqëruara me erëra të forta, ka pasur shkëputje të energjisë elektrike në disa zona. Grupet e OSHEE kanë punuar në Buçimas dhe po vijojnë ndërhyrjet në Lin, Piskupat dhe Buqezë për rikthimin e furnizimit me energji.
Rekomandime për qytetarët:
Evitoni daljet e panevojshme.
Në rast problematikash, kontaktoni me numrat e emergjencës dhe administratorët e zonave përkatëse.
Shërbimet e emergjencës në gatishmëri:
Policia e Shtetit: 129
Zjarrfikësit: 128
Urgjenca Mjekësore: 127
Policia Rrugore: 126
Të gjitha strukturat përfshirë Emergjencat Civile, policinë bashkiake, firmat e pastrimit dhe grupet e OSHEE, janë në terren për t’ju ofruar ndihmën e nevojshme qytetarëve.


