E kaluara diktatoriale e Shqipërisë ngjall edhe sot kureshtjen e mediave të huaja dhe turistëve. Në të gjitha mediat e huaja nuk ka munguar përmes reportazhesh apo shkrimesh një nga dëshmitë unikale të Shqipërisë ateiste, “historinë e Kishës – Bunker” në Lin.
Lini, gadishulli i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, vetëm 22 km nga qyteti i Pogradecit, ruan një nga dëshmitë unikale të Shqipërisë ateiste.
Në kodrën që shtrihet fshati,në pikën fundore të saj, ku vështrimi ndahet mes Ohrit dhe Pogradecit, ndodhet Bunkeri Kishë- i Linit. Në 1967, pas vendimit për çrrënjosjen e fesë, Kisha 3 shekullore e “Shën Nikollës” u shemb për tu ndërtuar në vend të saj një bunker.
At Nestor Bicja, prift i Linit prej 18 vitesh, tregon për historinë e saj.

“Deri në 67-tën këtu ishte një Kishë paraklise e vogël e Shën Nikollës, e shenjtit që e festojmë ne ortodoksët në 6 dhjetor. Kisha u prish nga regjimi i Enver Hoxhës dhe u bë ky bunker.
Edhe në atë kohë vinin besimtarët dhe luteshin. Bunkeri u bë të mbroheshim nga Jugosllavia, këtu shërbenin ushtarët ditë e natë. Pas viteve 90’;, me ardhjen e demokracisë kjo u bë prap Kishë. Besimtarët sollën ikonat dhe luteshin”
Banorë dhe turistë ndajnë përshtypjet për bunkerin – kishë të Linit.
Ndrijo Shegani, banor i Linit: “Për bunkerin kujdesen banorët e fshatit që shkojnë dhe ndezin qiri të shtunave e të djelave. Kush quhet Nikolla ose Nikoleta ndez qiri në ditën e Shën Nikollës dhe ne i urojmë në shtëpi “ta gëzosh emrin”.
Bora, turiste: “Unë tani sapo u ula nga aty, jemi nga Shkodra dhe erdhëm ta vizitonim. Për mua ishte shumë e çuditshme. Nuk ka rëndësi për çfarë është ndërtuar më pas, për cfarë është vënë guri i parë, ai mbetet”.
hqipëria u bë i vetmi vend ateist në botë, ku u shkatërruan 2169 objekte kulti. Pas valës shkatërruese të 1967, mbijetuan vetëm 96 objekte kulti nën cilësimin monumente kulture.
Sot, kjo Kishë bunker është një nga më të vizituarat nga vendasit dhe të huajt, për atë çfarë ofron dhe historinë që mbart.


