Shtohen kategoritë e personave që vuajnë nga diabeti dhe përfitojnë falas fishat me anë të së cilave masin nivelin e sheqerit në gjak dhe mbajnë nën kontroll sëmundjen.
Kategorisë përfituese, sipas vendimit të fundit të Qeverisë Shqiptare i shtohen edhe personat me aftësi të kufizuar dhe invalidët e punës dhe të gjitha këto do të mbulohen nga fondi i Qeverisë.
Ky vendim i cili vjen në vazhdën e mbulimit shëndetësor universal, për të mbështetur pacientët në cilësinë e jetës dhe për të lehtësuar kurimin e tyre, është përshëndetur nga qytetarët.
Ndërkohë burime pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Korçë bëjnë të ditur se deri më tani, fishat e diabetit falas i kanë përfituar 58 pacientë të grupmoshës 0 deri në 25 vjeç dhe 5453 pacientë mbi 65 vjeç.