Skënderbeu fitore spektakolare ndaj Bylisit, ndez betejën për mbijetesë
Skënderbeu i Ernest Gjokës arriti një fitore të madhe në transfertë, duke mposhtur Bylisin me rezultatin 0-3 në stadiumin “Adush Muça”. Ky sukses e fut ekipin korçar plotësisht në garën për mbijetesë në Kategorinë Superiore.
Heroi i ndeshjes ishte egjiptiani Nasr, i cili realizoi një dopietë, ndërsa goli tjetër u shënua nga braziliani Lukinja, duke siguruar një trepikësh të artë për ekipin bardhekuq. Me këtë fitore, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 26 pikëve, duke ngushtuar diferencën me Bylisin në vetëm 2 pikë.
Ky ishte suksesi i dytë radhazi për ekipin e Gjokës, që tashmë sheh me më shumë shpresa drejt qëndrimit në elitë. Në ndeshjen e ardhshme, Skënderbeu do të udhëtojë për t’u përballur me Elbasanin, ndërsa Bylisi do të presë Teutën në shtëpi.
Fitorja ndaj një rivali direkt i jep frymëmarrje dhe besim të madh ekipit korçar, që synon të mbajë vendin në Kategorinë Superiore.