Skënderbeu ka mbyllur në Durrës përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Vllaznisë. Pas humbjes në shtëpi me Partizanin, korçarët e kanë komplikuar misionin për mbijetesë në këtë sezon, duke e bërë më të vështirë arritjen e objektivit minimal për kampionatin.
Në kushte të tilla, kryepankina korçare e sheh fitoren si të vetmin rezultat në Shkodër, pavarësisht se ndeshja është tejet e vështirë. Kjo edhe në analizën e fundit të zhvilluar dje, është vendosur si theksi kryesor, që ekipi duhet të punojë i qetë dhe të shohë vetëm ndeshjen e radhës, duke lënë pas gjithçka që ka ndodhur në ndeshjen e fundit në shtëpi.
Përtej humbjes me Partizanin, korçarët janë të bindur se me lojën që po zhvillojnë, mund të marrin më shumë se kaq, ndaj edhe për këtë stafi teknik ka menduar që të motivojë ekipin për të pasur një qasje të duhur në këtë ndeshje radhe.
Ajo që ka më shumë rëndësi në këto momente është fakti se korçarët kanë rikuperuar pjesën më të mirë të ekipit dhe Gjoka do të ketë në dispozicion një skuadër thuajse të plotë për ndeshjen e radhës.

FORMACIONI – Në kushtet kur duhet një reagim nga ekipi dhe ndeshja e radhës ka shumë rendësi për sezonin aktual, trajneri bardhekuq ka luksin që të zgjedhë mes lojtarëve që ka në dispozicion për të hedhur në fushë formacionin më të mirë të mundshëm.
Veç mungesës së Jurit për shkak kartonësh, e gjithë pjesa tjetër është nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka. Ndaj, nga porta pritet ta nisë Alia dhe para tij do të formojnë katërshen e mbrojtjes Doka dhe Shaqe nga krahët me Prençin dhe Randin në qendër të mbrojtjes.
Në mesin e fushës Sabo dhe Estrela kanë një fanellë të sigurt titullari, teksa vendin e Jurit pritet ta zërë Frenklin për të kompletuar repartin e mesfushës.
Në sulm, Bismark është rikuperuar dhe do të jetë në majë të ofensivës, teksa Nikaj dhe Nasr pritet të jenë në mbështetje të tij.


