Lagje e re teknologjike në qytetin e Korçës. Një gjë e tillë është bërë me dije nga kryetari i bashkisë Korçë Sotiraq Filo, kur tha se synohet të krijohet lagjia e parë teknologjike në Shqipëri.
Në këtë lagje sipas tij do të jetojnë të rinj të cilët do të jenë të punësuar në fushën e teknologjisë për kompani vendase e të huaja.
“Është projekt dhe ambicia jonë e radhës. Duam të ndërtojmë qytetin e Korçës një lagje të teknologjisë e cila do të ofrojë për të rinjtë e të rejat e Korçës por dhe atyre korçarëve që punojnë në Tiranë por do duan të kthehen në Korçë, të ofrojmë një hapsire e mundësi të banojne atje, apartamente, mundësi për argëtim. Bazuar në këtë infrastrukturë duam të krijojmë komunitetin e parë në Shqipëri të të rinjve që i bashkon teknologjia”, – tha Kryebashkiaku i Korçës Sotoraq Filo.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi ka bërë me dije se gjatë këtij viti janë trajnuar në fushën e kodimit mbi 1000 të rinj, çka tregon se interesi i të rinjve për teknologjine është shtuar.
“Tashmë teknologjia është bërë gjithmonë e më interesante për të rinjtë. Në fillim të këtij viti lancuam programin e kodimit për të rinjtë shqiptarë dhe sot jam e lumtur të them se e kemi tejkaluar objektivin tonë .
Kishim vendosur të trjanonim 1000 të rinj për programim dhe tanimë jemi 1100 e viti ende nuk ka mbaruar. Kjo tregon se të rinjtë kanë interes, kane zhvilluar aftësitë e tyre”, – ka thënë ministrja Bora Muzhaqi.
Befasia më e madhe në Panairin e Punës dhe Teknologjisë ka qenë pjesëmarrja e kompanisë gjermane të fluturimeve Lufthansa, të cilët lajmëruan se janë në përpjekje për të hapur një filial të tyren në Korçë.
“Qyteti do përfitojë që kompanitë aktualisht janë në Tiranë të kenë më shumë akases dhe njerëz, tek kompanitë këtu në Korçë. Pa pasur nevojë të jenë në Tiranë për të aplikuar e punuar. Mund të punojnë këtu. Me tepër punë për të rinjtë korçarë, kjo do varet si do kemi njerëzit të përgatitur për atë që kërkojmë ne, por jemi optimistë”, – u shpreh Anastas Pandili, përfaqësues i kompanisë Lufthansa.
Anxhela Shtyko prej dy vitesh është e punësuar në Korçë në një kompani teknologjike, te cila punojnë me homologët e tyre amerikanë.
Në Panairin e Punës dhe Teknologjisë morën pjesë mbi 20 kompani teknologjike, të cilat kanë shfaqur interes për të punësuar të rinjtë korçar.


