Sotiraq Xega apo “XEGA” siç njihej nga miqtë e tij në Korçë, është padyshim një nga artistët realistë shqiptarë të shek.XX-XXI. Artisti kryesisht ishte i përkushtuar ndaj peizazhit të zonës së Korçës, qytetit dhe periferisë së saj. Talentin e tij në moshë të re, e zbuloi gjatë praktikës mësimore në minierën e Drenovës piktori Kujtim Buza, i cili edhe pse konkursi pranues kishte përfunduar, i dërgoi letër Prof.Abdurrahim Buzës që ishte dhe Nën/Drejtor i Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, i cili e pranoi atë, si një talent i veçantë, jashtë konkursit.
XEGA gjatë viteve si liceist, studioi pikturë si nxënës, në klasën e piktorit të njohur Naxhi Bakalli së bashku më bashkënxënësit e tjerë si: Sofika Ziri, Bashkim Dervishi, Tamara Zegali, Agron Dine, Petrit Gurabardhi, Fotinka Konomi, Marjana Findiku, Bashkim Kapllani, Mitat Çuadari, Asllan Zeneli e Zamir Mati.
Pas diplomimit XEGA për 22 vite me radhë ishte mësues vizatimi në qytetin e Librazhdit (1968-1972), piktor në ndërmarrjen Artistike, Korçë (1972-1980) dhe përsëri mësues vizatimi në shkollën e fshatit Podgorie, Korçë (1980-1988). Me pjesëmarrjet e tij në ekspozitat e ndryshme lokale dhe ato personale, XEGA krijoi imazhin e një piktori peizazhist të natyrës, ku pasioni i tij ishte veçanërisht realizimi i peizazheve nga natyra në të gjitha stinët e vitit.
Ky pasion dhe krijimtaria e tij realiste krijuan besimin dhe respektin si artist i formuar tek autoritetet shtetërore të kohës, duke e caktuar pedagog i vizatimit në shkollën e mesme artistike “Tefta Tashko Koço”. Njëhkohësisht ai ishte dhe përgjegjësi i Galerisë së Arteve (sot “GURI MADHI”) në qytetin e Korçës.
Artisti Sotiraq XEGA jetoi dhe krijoi gjithë jetën e tij në fshatin e tij të lindjes Drenovë. Atë e karakterizonte thjeshtësia dhe pasioni si artist dhe nuk këmbënguli edhe kur ishte pedagog dhe drejtues i GA, Korçë të transferohej në qytet.
I pëlqente jeta e fshatit, peizazhi, njerëzit e thjeshtë që ai i donte dhe i përshëndeste çdo ditë ku nisej në mëngjes dhe kthehej nga Korça, në mbrëmje vonë.
Ai ishte djali i madh i 8 fëmijve të familjes së bujkut Thanas Xega. Vëllezërit e tij punonin në minierën e Drenovës. Miniera e Drenovës, pranë fshatit, e tërhoqi artistin dhe ai u kushtoi minatorëve mjaft punime, kryesisht etyde dhe portrete, të cilat artisti me shumë realizëm i “gdhëndëte” me laps dhe ngjyra. Ndër kompozimeve të tij të viteve të 1970 – 1990, mund të kujtojmë atë kushtuar shkrimtarit Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni (GA, Korçë) dhe “Leximi i shtypit në Kooperativë” (1981, Kol. Familjes së artistit).
Piktori Xega përveç veprave më vaj që ai preferonte të realizonte, punonte dhe në teknikën e akuarelit, por njihet edhe si piktor I teknikës së pastelit, ku mund të kujtojmë atë me titull:”Boboshticë”(2003) ku vëmëndja e tij fokusohet tek shtëpitë e ndërtuara me gurë, që ai i pikturon me detaje dhe me kalime hije drite të një tonaliteti të ngrohtë, por pa krijuar kontraste grafike. Mjaft të bukur janë dhe peizazhet e tij të realizuara në teknikën e vajit si: “ Vithkuq” (1987); “Sinicë” (1999); “Rrugë në Berat” (2004); “Pranverë në Voskop” (2006); “Dimër në Dardhë” (2017) etj.
Duke preferuar peizazhin Xega ka realizuar 35 ekspozita personale me imazhe nga natyra e zonës së Korçës si: nga fshati i tij Drenova, Boboshtica, Polena, Vithkuqi dhe mali i Moravës.
Më 1996 ishte pjesmarrës në ekspozitën kolektive të piktorëve korçarë si: Sotiraq Kuqali, Ruzhdi Goskova, Genti Proko të ftuar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Më 2001 çeli ekspozitën kolektive me piktorin Sotiraq Kuqali dhe skulptorin Vladimir Kaçaku.
Xega gjatë gjithë jetës së tij ju kushtua peizazhit nga natyra; shpesh dilte peizazh me mikun e tij piktorin Sotiraq Kuqali apo dhe me piktorin Genti Proko.
I shqetësuar nga ngjarjet e pas viteve 1990 në lidhje me shkatërrimin e natyrës si: dëmtimi i pyllit me bredha në Drenovë, apo dhe dëmtimi i manave, ai ishte vetmimtar në përpjekjet për të ruajtur natyrën duke protestuar vazhdimisht në mbrojtje të tyre. Ekspozita e fundit e Xeges ka qenë ajo kushtuar manave të Drenovës, të cilat artisti i konsideronte “monumente kulture” të fshatit të tij; ekspozitë të cilën e paraqiti për miqtë kryesisht, në një prej rrugicave të fshatit të njohur turistik. Vitet e fundit të jetës ai çelte ekspozitat personale në muajin maj në ditën e lindjes, duke e kthyer si një ritual të përvitshëm.
U nda nga jeta më 30 nëntor 2021, në moshën 76 vjeçare.