Trupa e estradës së Korçës si një nga më të njohurat në vend ka patur një bërthamë aktorësh të përkushruar, disa prej të cilëve ndonëse e kishin nisur karierën artistike si amatorë shkëlqyen e lanë gjurmë me repertorin e tyre.
Nga lëvizja amatore vinin i madhi Aleko Prodani dhe miku i tij Petrit Koçibelli, i njohur si Pitkini i humorit korçar. “Unë kam imituar Çarli Çaplinin ndërsa Titi aktorin e famshëm anglez Pitkin. Titi ishte i lindur për të imituar Pitkinin” thotë ish nxënësi dhe më pas kolegu i tij, aktori Vaskë Niço.

Petrit Koçibelli i ka fillimet e tij artistike si regjisor te grupi amator i ish uzinës së preçizionit. Dhe tregonin atë nivel interpretimi sa konkuronin edhe estradën e qytetit e vlerësoheshin në rang kombëtar. Më pas kaloi si regjisor te shkolla e mesme “Raqi Qirinxhi” ku përgatiti aktorët e ardhshëm Vaskë Niço, Emil Bibolli e Albano Prodani.
Me krijimin e cirkut të Korçës, Petrit Koçibelli ishte që nga themelimi një nga pjestarët e parë të tij. “Babai ra në sy si pantoninist e prestigjator në cirk. Njëkohësisht shkruante materiale humoristike. Me shkrirjen e cirkut e morën në teatër, në një kohë kur atje kishte fluks aktorësh humori si Aleko Prodani, Klaudeta Riza, Arben Dervishi, Zamira Kita etj” shprehet i biri Mikel Koçibelli.

I gjithanshëm në prirjet e tij, Petriti ka ushtruar edhe sportin si gjimnast dhe mundës. Ndërsa së bashku me libretistin Maksi Stiko ishin furnizuesit kryesorë me materiale humori të estradës së Korçës. “Si para viteve ’90-të edhe më pas, krijimtaria në materiale humori e Titit ishte e tillë që të godiste fenomenet negative të shoqërisë larg çdo banaliteti” thekson kolegu i tij Vaskë Niço. Ai e vlerëson Petrit Koçibellin si aktor të jashtëzakonshëm të roleve të dyta. Kështu, “nën hije” krijoi staturën e tij të aktorit të humorit. Ndoshta do të kishte bërë kapërcimin e madh në karierë kur i erdhi ftesa nga Bujar Kapexhiu ti bashkohej trupës së estradës së Tiranës, por e refuzoi edhe për shkaqe familjare.”Babai edhe si natyrë ka qënë paksa i tërhequr” thotë djali i tij.
Kjo ndoshta sepse Petrit Koçibelli ruante brenda vetes një shpirt të gjerë artistik, falë të cilit ka krijuar një mozaik kontributesh. Për mikun e tij Aleko Prodani që ju shua në duar gjatë provave në skenë ka shkruar libër. Ka edhe një përmbledhje krijimesh poetike të cilën të afërmit mendojnë tja botojnë.

Petrit Koçibelli ka qënë nga të parët aktorë pas vitit 1990-të dhe të rrallët e trupës së estradës së Korçës që ka dhënë recital me krijimtarinë e tij, duke sjellë së bashku me kolegët Arben Dervishi, Zamira Kita e Vaskë Niço një sërë shfaqjesh të mirëpritura nga publiku. “Me një vesh absolut muzikor, Titi veç të tjerash afronte bashkëpuntorë që e ndjenin të bukurën” e çmon kolegu Vaskë Niço.
Tashmë në moshën 78 vjeçare, Petrit Koçibelli që është vlerësuar me mjaft çmime për aktivitetin e larmishëm artistik është në pritje që institucionet lokale shtetërore si Këshilli i Qarkut apo Këshilli bashkiak ti akordojnë ndonjë titull nderi. Si Pitkini i humorit korçar.


