Tirana ndërlikon rrugën drejt titullit kampion. Bardheblutë nuk shkuan më shumë se një barazim 2-2 ndaj Bylisit për të humbur kështu kreun që një javë para fundit të sezonit shkon në duart e Partizanit.
Edhe pse kaluan të parët në avantazh në dy raste, kryeqytetasit shpërdoruan ndaj ballshiotëve në stadiumin “Arena Egnatia” për të marrë një pikë që ndoshta nuk vlen aspak.
Ardit Hila ishte ai që bëri diferencën në fushën e lojës me dopietën personale, nga një gol për secilën pjesë, gjithsesi Bylis arriti që të reagojë kjo falë gabimeve fatale në mbrojtjen e Tiranës.
Skuadra e Orges Shehit nuk u shfaq shumë e qartë në fushën e lojës, kjo e ndikuar edhe nga presioni i çështjes titull.Rrjetës së Hilës pas një aksioni model të bardhebluve iu përgjigj pak çaste më pas Danladi, i cili shfrytëzoi në maksimum nga largimi jo i mirë i mbrojtjes.
Me barazimin 1-1 përfundoi pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Tirana ishte sërish ajo që gjeti rrjetën me anë të Hilës.Një gol që u duk se krijoi qetësinë, por Bylis fitoi një penallti tepër të kontestuar, e cila u përkthye në gol nga Adili.
Barazim 2-2 në një sfidë tepër të luftuar dhe mjaft të rëndësishme, me Tiranën që tashmë duhet të luajë një finale titulli kundër Erzenit që lufton për mbijetesë, gjithmonë me një vesh nga ajo që ndodh në duelin mes Partizanit dhe Teutës.
Por pas përfundimit të ndeshjes është shënuar një episod i rëndë. Tifozët e Tiranës janë futur në fushën e gjelbër dhe kanë goditur arbitrin Kridens Meta dhe dy ndihmësit e tij.
Është dashur ndërhyrja e policisë dhe futja në dhomat e zhveshjeve të arbitrave që situata të qetësohej.