Marrëdhënia mes shtetit si kontraktues dhe një koncensionari si i kontraktuar rregullohet përmes një kontrate, në të cilën caktohen detyrimet dhe të drejtat e palëve.
Një kontratë e tillë është nënshkruar edhe mes shtetit shqiptar dhe koncensionarit Albanian Highway Concession për mirëmbajtjen e aksit Milot-Morinë, në të cilën rregullohet edhe vjelja e tarifës së kalimit për çdo kategori të mjeteve motorike.
Pika 11.4.4A e kontratës parashikon se koncensionari ka detyrimin e rishikimit të kursit të këmbimit mes euros dhe lekut në rast të një ndryshimi +/- 5% brenda një periudhe të dhënë.
Të gjithë e dimë çfarë ka ndodhur me kursin e këmbimit nga viti 2018 kur ka filluar vjelja e tarifës (kur kursi ishte 132) deri më sot, por kursi te trau në Kalimash nuk është rishikuar.
Ministria e Infrastrukturës ka detyrimin që të monitorojë zbatimin e kontratës nga koncensionari! Mbajtja e kursit fiks 132 lekë për 1 euro edhe pse sot është 107 lekë tregon se sa e kanë vënë ujin në zjarr për të detyruar privatin të rishikojë kursin e këmbimit.
Pa tolerimin e MIE-s, s’do kishin guximin ta bënin këtë që po bëjnë.
Pyetja që shtrohet shpesh sa herë bëhen ankesa të tilla në rrjetet sociale është: Po ti çfarë kë bërë për ta ndryshuar këtë gjendje?
Kam bërë një investigim të mirëfilltë në lidhje me mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, publikuar në Investigative Network Albania.
Kam bërë kushedi sa kërkesa për informacion në MIE në lidhje me këtë koncension. Në çdo rast janë janë përpjekur të më mbyllin dyert duke më detyruar të fus në lojë Komisionerin për të Drejtën e Informimit.
Megjithatë kam marrë mjaftueshëm informacione.
Kam detyruar Komisionerin (me ligj) të thërrasë në një seancë dëgjimore Koncensionarin dhe MIE-n përballë meje në lidhje me mosdhënien e informacion të kërkuar për rrugën.
Komisioneri bëri sikur dhe e la si çështje në fund. Kam info të gjithçkaje që po ndodh me mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Edhe të urave…!
Dikush me sugjeroi të shkoja të bëja një padi në SPAK me dosjen që kisha në dorë! Në fakt, gazetari nuk ka pse bën padi në SPAK, gazetari publikon çfarë ka në dorë, ajo është detyra e tij, kurse detyra e prokurorëve është të nisin hetimet nëse shohin që ka shkelje.
Ajo që po ndodh me kursin e këmbimit te trau në Kalimash është një shkelje flagrante dhe zhvatje e hapur! Unë kaq di të them dhe të provoj, por kjo nuk është një çështje personale, është çështje që duhet të shqetësojë këdo ..edhe ata 1000-2000 veta që i bëjnë LIKE një lajmi mbi tokën që është e sheshtë..!
Shqipoja është ai individ, i cili do që luftën e tij ta bëjnë të tjerët! Epo popujt budallenj edhe vidhen ditën për diell, edhe vriten kur ia do puna oligarkut të radhës.
Emirjon Senja