Policia e Korçës po heton tre raste të ndryshme vjedhjeje të ndodhura në qytetin e Korçës dhe në njësinë administrative Gurishtë të Maliqit, që kanë shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës.
Në Komisariatin e Policisë Korçë është paraqitur shtetasja O. B., 25 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë kohës që nuk ndodhej në banesë, persona ende të paidentifikuar kanë hyrë dhe i kanë vjedhur një shumë parash. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Një tjetër rast është regjistruar në varrezat e reja të qytetit, ku shtetasi H. H., 67 vjeç, ka kallëzuar në polici se i janë vjedhur pllakat e varrit nga persona të panjohur. Shërbimet e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve.
Ndërkohë, në Komisariatin e Policisë Maliq është paraqitur shtetasi A. Ç., 41 vjeç, banues në fshatin Gurishtë, i cili ka kallëzuar se i është vjedhur automjeti që kishte lënë të hapur pranë banesës së tij. Policia ka nisur menjëherë hetimet për këtë ngjarje.
Të tria rastet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ndërsa hetimet vijojnë me intensitet për zbardhjen e plotë të tyre.


