Pogradeci po përjeton një tjetër verë të suksesshme turistike, duke konfirmuar statusin e tij si “mbreti i turizmit në juglindje”. Brigjet e liqenit janë tejmbushur me pushues vendas dhe të huaj, të cilët zgjedhin qytetin liqenor për bukuritë natyrore, klimën e freskët dhe atmosferën relaksuese që ofron.
Hoteleria dhe gastronomia lokale janë në kulmin e aktivitetit, ndërsa në pedonalen e qytetit dhe në zonat turistike si Tushemishti, Driloni apo Lin, çdo ditë shihen qindra vizitorë që shijojnë peizazhin, traditën dhe shërbimet që ofrohen.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se numri i turistëve këtë sezon ka qenë në rritje krahasuar me një vit më parë, falë edhe promovimit të vazhdueshëm dhe aktiviteteve kulturore që janë organizuar gjatë muajve të verës.
Pogradeci jo vetëm që ofron plazh liqenor të pastër dhe të sigurt, por edhe një kombinim të rrallë të trashëgimisë kulturore, historisë dhe natyrës, duke e bërë një destinacion të pazëvendësueshëm për pushuesit që zgjedhin juglindjen e vendit.


