Më shumë se 800 banorë të fshatit Shëngjergj në Bashkinë e Maliqit ngrejnë alarmin e ndotjes së ujit të pijshëm. Ata shkojnë më tej kur thonë se uji jovetëm që nuk bën për të pirë, por as për tu larë.
Në rubinetat e tyre uji vjen me përbërje dheu deri edhe te krimbat, kjo ka bërë që edhe pajisjet elektroshtëpiake të tyre të prishen.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh një fenomen i tillë, por përsëritja vit pas viti e bën situatën alarmante. Detyrohen ta kullojnë ujin me napa dhe bluza për të hequr dherat dhe ta përdorin për larje, ndërsa për të pirë përdorin çezmën e fshatit.
Të kontaktuar personat përgjegjës të ujësjellësit pranë Bashkisë Maliq thanë se kjo situatë vjen si pasojë e thatësirës, megjithatë po punohet për normalizimin e situatës e deri atëherë banorët nuk duhet të konsumojnë ujin.