Skënderbeu gjysëm fitore në transfertë me Teutën, goli i Bismark nuk rezistoi për të thyer tersin në fushën e Durrësit.
Skënderbeu ka dalë me një barazim në rezultatin 1-1 nga transferta me Teutën e Durrësit, ekip të cilin e ka si “mace të zezë” dhe nuk njeh fitore prej vitesh.
Goli i sapo të kthyerit në formacion, sulmuesit Bismark, vlejti sa për pjesën e parë. Teuta barazoi nga mesi i pjesës së dytë, ndërsa drithëroi kampin bardhekuq me një gol të anuluar nga fundi i ndeshjes.
Ndërkaq, Skënderbeu i tërhequr më shumë në mbrojtje në pjesën e dytë, tipike kjo për ekipin korçar, kishte mundësinë të kalonte në avantazh të dyfishtë me Franklin që goditi tranversën.
Edhe në këtë sfidë, Skënderbeu i “falet” portierit Marko Alia, i cili me pritjet e tij mbrojti barazimin me një pikë të vlefshme në transfertë për bardhekuqtë.