Drejtoria Vendore e Policisë Korçë bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin D. H., 22 vjeç, dhe filluan procedimin penal ndaj shtetasit F. Ç., 19 vjeç, banues në Korçë. Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një pikturë të shtetasit Gj. Th., e ekspozuar për shitje pranë banesës së tij.
Po ashtu, Policia referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për:
V. B., 45 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar se ka goditur me shkelma dhe grushte një 65-vjeçar, për motive të dobëta;
V. V., 69 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se me veprime vetëgjyqësie i ka ndërruar bravën e derës banesës së shtetasit E. B., për të cilën pretendon se është pronë e tij;
O. L., 41 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar se i ka vjedhur një shumë parash gjyshes së bashkëshortes së tij.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 25 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Në vijim të informacionit paraprak mbi aksidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar në aksin Pogradec-Tushemisht, ku mbetën të dëmtuar 4 shtetas, Policia referoi materialet në Prokurori për shtetasin H. P., 28 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori për shtetasin S. C., 50 vjeç, banues në Bullgari, i cili dyshohet se, nga pakujdesia, ka dëmtuar pajisjen elektrike të traut në një hotel ku kishte parkuar automjetin.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori për shtetasin N. H., 47 vjeç, banues në Libonik, i cili u kap duke transportuar 6 m³ dru, të prerë në kundërshtim me ligjin. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


