Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka dalë me njoftimin se ASHK Shkodër dhe ASHK Vlorë do të transferohen në ASHK Tiranë. Ky vendim duket se nuk është mirëpritur mirë nga të gjithë.
Klajdi Pllaha në një shkrim në rrjetin e tij social shprehet se mbyllja e gjykatave dhe kadastave rajonale po sjell centralizim.
Ja si shprehet ai;
Pas mbylljes së gjykatave nëpër rrethe, rradhën e kanë kadastrat. Po pastaj kush tjetër? Universiteti?
Sot Shkodra e Vlora nesër Korça e çdo qytet tjetër, duke centralizuar çdo shërbim në Tiranë e duke zbrazur qytetet që nuk do ofrojnë më punë për specialistë e persona të studiuar. Kjo qasje bie ndesh jo vetëm me parimin e decentralizimit por dhe me aksesueshmërinë e shërbimeve nga qytetarët. Duket se kemi një plan malinj për ti kthyer qytetet Shqiptare, dikur lokomotiva drejtuese të vendit, në provinca të harruara të perandorisë.
Nga ana tjetër ofrimi i shërbimeve të Kadastrës nga E-Albania që reklamohet si arritje e madhe, për mendimin tim është një dështim. Së pari sepse ky shërbim bllokohet e vonohet shumë më shumë se pritja nëpër rradhë. Së dyti sepse ka rritur kostot e qytetarve. Për të përdorur shërbimet e AShK të gjithë i drejtohen agjesive private duke paguar një koste ekstra nga 2000-5000 lek të rinj.
Kujdes! Tiranitë lindin ngadalë nga mosreagimi qytetar.



