Partizani për meshkuj dhe Tirana për femra janë fitues të Kupës së Shqipërisë në finalet e luajtura në Korçë.
Të parët fitojnë 3 me 0 me bardheblutë në një ndeshje që kishte histori vetëm në setin e tretë, që fitohet nga të kuqtë 25-23, ndërkohë që dy setet e tjerë 25-19 dhe 25-18 u dominuan nga Partizani.
Lojtari më i mirë i finales ishte kapiteni i Partizanit, Osman Qepa, i cili pas ndeshjes tha se ekipi ka në përbërje lojtarët më të mirë shqiptarë të rrjetës, si dhe të huaj që bëjnë diferencën.
“Pa lojtarët e huaj, ekipet tona do të ishin në krizë totale,” – kështu është shprehur trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri, duke treguar se nuk është për uljen e numrit të të huajve.
Ndryshe nga meshkujt, finalja e femrave ka kërkuar set final për të shkuar te ekipi fitues.
Set që është dominuar nga Tirana për ta mbyllur 11 me 15, ndërkohë që kishte fituar të dytin 15-25 dhe të katërtin 18-25, ndërsa Skënderbeu të parin 25-16 dhe të tretin 25-17.
Trajneri Orlando Koja ka pranuar humbjen pa treguar shumë gjëra për trofeun e tretë të humbur këtë sezon.
Adrian Gornca, trajneri i Tiranës, nga njëra anë nuk i ka fshehur emocionet e Kupës, por nga ana tjetër ka pranuar se, siç është zhvilluar ndeshja, Kupën mund ta fitonin edhe korçarët.
Për femra, lojtarja më e mirë është shpallur Enkeleda Brahja, e cila pas finales tha se Federata e Volejbollit nuk kishte arsye të sillte në Korçë tri ekipe nga kryeqyteti, kur fare mirë finalet mund të luheshin në Tiranë.
Partizani edhe një herë tjetër ka treguar se mbetet ekipi dominues i volejbollit të meshkujve, ndërsa Skënderbeu këtë sezon, me tri trofe të humbura dhe vetëm një të fituar deri tani, ka treguar se nuk është ajo skuadra e një viti më parë.


