Efektivi i Forcave të Armatosura, Johan Zuko, ka mbetur i vrarë me armë zjarri gjatë një ngjarjeje të rëndë të shënuar në lagjen nr. 14 të qytetit të Korçës.
Sipas raportimeve të para nga vendngjarja, viktima është qëlluar me armë zjarri të llojit kallashnikov, duke ndërruar jetë në vend si pasojë e plagëve të marra. Ngjarja ka mobilizuar menjëherë shërbimet e Policisë, të cilat kanë mbërritur në terren dhe kanë rrethuar zonën ku ndodhi krimi.
Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes
Burimet policore bëjnë me dije se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është identifikuar tashmë nga uniformat blu. Aktualisht, forcat e rendit po punojnë intensivisht për kapjen e tij, si dhe për kryerjen e veprimeve hetimore që do të çojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të vrasjes së pjesëtarit të Forcave të Armatosura.


