GJENDJE ALARMANTE!
U prezantoj me jetën e tmerrshme të familjes Kajremani dhe vajzës së tyre Emanuela, e cila është në muajin e 8 të shtatëzanisë dhe nuk di ende gjininë e fëmijës – në fshatin Goskovë të Korçës
Më kërkuan të shkoja ti shihja nga afër.
Vladimiri, i ati ishte ulur ngjitur ujërat e zeza dhe shihte diellin – “Nuk i kam bërë asgjë askujt, nuk e meritoj këtë lloj jete. Nuk kam as pantallona të ndërrohem”
Majlinda. Gruaja e shtëpisë. Mendoni një grua që nuk ngre dot kokën nga turpi.
“Nuk kam bukë në shtëpi. Nuk kam asnjë lek. As batanije të ngrohemi. Dru nuk kam. Asgjë nuk kam. Nuk kam arsye të jetoj”
Por më e fortë, miq, më e trishtë, më therëse është jeta e Emanuelës.
“U dashurova me një djalë. E doja shumë. Filloi të luante kumar dhe më pas me rrihte. E mori vesh gjithë fshati që ai më rrihte. Më la shtatëzanë. Nuk e di ende çfarë gjinie ka fëmija. Nuk kam shkuar të bëj asnjë analizë, asnjë kontroll. Uroj të jetë vajzë. Se meshkujt gënjejnë. Vajzat janë të pafajshme. Nuk do ja fal vetes në qoftë se fëmija do të lindë me probleme ”
Heshta. Nuk e prisja të shihja këtë lloj tragjedie. Nuk shkruhet as libër. Ku jetojmë? Nuk e di. – sot nuk di as çfarë të them as çfarë të shkruaj, asgjë. Ndiej urrejtje!