Një nga punët më sakrifikuese është profesioni i zjarrfikësit, të cilit i duhet të përballet me dhjetëra situata të vështira, deri aty ku i rrezikohet dhe jeta.
Një ndër ta është dhe Vladimir Dhespollari, zjarrfikës prej dhjetëra vitesh, teksa sot drejton këtë shërbim në Kolonjë.
Kolibri.al udhëtoi bashkë me të në një nga vatrat e zjarrit ditët e fundit. Ladi, siç e quajnë dhe miqtë e tij, tregon se të qenit zjarrfikës nuk është e lehtë.
Patjetër sakrifica është e para, ikën natën, sakrifikon me jetën e tij në mes të zjarrit, kur digjet një banesë për të shpëtuar jetën e njeriut, lartësi apo turistë për t’i shpëtuar nga gremina. Është detyrë e rrezikshme, por dhe shumë humane dhe çdo njeri nga ne zjarrfikësit përkushtohet për misionin dhe qëllim që ka”, thotë Dhespollari.
Shpërblimi më i madh që mund të marrë një zjarrfikës është falënderimi, thotë ai.
“Për çdo zjarrfikës, edhe për mua personalisht ndiej shumë kënaqësi kur na falënderojnë njerëzit. Por edhe një zhbllokim dere, për shembull në Ersekë kemi pasur raste kur u është bllokuar dera e ka harruar fëmijën brenda, ka harruar gjellën në zjarr e menjëherë ndërhyjmë, i ndihmojmë. Kemi marrë falënderime, e ndiejmë veten jo shumë të kënaqur, por shumë të detyruar për të shërbyer”, shprehet ai.
Zjarrfikësi i Kolonjës ka një thirrje edhe për njerëzit, të cilët hera-herës bëhen pengesë në vend që të ndihmojnë sadopak.
“Të tregojnë respekt, të na mbështesin, na përkrahin në punën tonë humane. Gjithmonë të ndihemi mirë siç ndihemi kur ne u shërbejmë atyre”, apelon zjarrfikësi.
Vladimir Dhespollari është një nga heronjtë e përditshëm shqiptarë, të cilët në çdo cep të vendit rrezikojnë jetën e tyre, sakrifikojnë nga koha e familjes, për të shpëtuar jetë njerëzish, fikur zjarret dhe jo vetëm, ku shpesh herë ndodhen në kushte shumë të vështira dhe me paga minimale.