Situata nga zjarri në kufirin juglindor po përkeqësohet me ritme të shpejta. Vatra aktive e zjarrit është zhvendosur tashmë shumë pranë pikës kufitare të Kapshticës, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të ulët dhe shkurre.
Burime nga terreni bëjnë me dije se flakët kanë avancuar ndjeshëm dhe aktualisht rrezikojnë dy ferma të mëdha bletarie, si dhe stacionin e policisë kufitare, ku ndodhen edhe mjete të sekuestruara nga autoritetet doganore.
Ndërhyrja me forca tokësore po bëhet gjithnjë e më e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë që po favorizon përhapjen e flakëve. Megjithatë, shërbimet zjarrfikëse janë të angazhuara maksimalisht për të ndalur përparimin e zjarrit në drejtim të objekteve të rrezikuara.
Autoritetet ndodhen në gatishmëri të lartë dhe po vlerësojnë mundësinë e ndërhyrjes nga ajri, nëse situata del jashtë kontrollit në orët në vijim.


