Unë nuk jam prind por kam parë tim at si reagon kur merr vesh ndonjë problem timin apo vëllait tim. Harron çdo gjë, është gati të sakrifikojë çdo gjë për fëmijët e vet. E kam dëgjuar teksa thotë se prindi vret dhe jep jetën për fëmijën e vet.
Por dje ishte një mesazh fisnikërie nga dy shqiptarë të thjeshtë, të cilët kanë hallin më të madh të botës. I’u vra djali i tyre 14 vjeçar, në shkollë, pa faj.
Kushdo mund të mirëkuptonte inatin, zemërimin, mllefin e një prindi që i kanë vrarë djalin por shumë pak mund të kishin imagjinuar se pikërisht babai i Martin Çanit do të thoshte; “Unë nuk dua hakmarrje, dua paqe. Dua të iki të punoj, Zoti dhe ligji le të merret”
E kuptoni sa forcë duhet për të thënë këtë fjali? Ky duhet të jetë mesazhi i kësaj fundjave, PAQE – kur dy prindër gjejnë forcën brenda vetes të falin gjakun e djalit të tyre 14 vjeçar, në pikëllimin më të madh të jetës të kenë shpirtin e pastër dhe mos hedhin asnjë pikë mallkimi ndaj vrasësit apo familjes së vrasësit, kjo kërkon një shpirt të madh…
Shkruar nga Xhensil Shkëmbi


