Korçë – Nxënësit e shkollës “Omiros” në qytetin e Korçës zhvilluan një aktivitet të veçantë artistik me temën “Ngjyrat e dashurisë dhe miqësisë”, ku përmes poezive dhe pikturave shprehën emocionet dhe talentin e tyre.
Ky aktivitet kishte për qëllim ndërthurjen e lëndëve të gjuhës dhe artit pamor, duke nxitur krijimtarinë, vetë-shprehjen dhe zhvillimin artistik të fëmijëve. Mësueset Eleni Ciplaki (gjuhë greke) dhe Kesiana Shamlli (art figurativ) theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinor për të nxjerrë në pah potencialin individual të çdo nxënësi dhe për të ndërtuar një lidhje më të thellë emocionale të fëmijëve me artin dhe gjuhën.
Vetë nxënësit, Ester Terezi dhe Kejda Guri, ndanë emocionet e tyre gjatë krijimit artistik, duke e cilësuar aktivitetin si një eksperiencë frymëzuese dhe të paharrueshme.
Ky organizim artistik jo vetëm që promovoi kreativitetin dhe ndjeshmërinë, por gjithashtu forcoi ndjenjën e bashkëpunimit, respektit dhe mirëkuptimit mes nxënësve, duke pasuruar kështu përvojën e tyre arsimore dhe emocionale.


