Korçë – Anëtarja dhe Nënkryetarja e Këshillit Bashkiak të Korçës, Laureta Alidina, ka zyrtarizuar kandidaturën e saj për deputete në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, nën siglën e Koalicionit Euroatlantik. Me një karrierë të gjatë në administratën publike dhe një angazhim të palodhur në jetën politike vendore, Alidina shprehet se kandidimi i saj buron nga bindja për një Shqipëri më demokratike dhe një përfaqësim më të denjë të qytetarëve në Kuvend.
Në një deklaratë publike, ajo theksoi se zgjedh Koalicionin Euroatlantik për shkak të modelit të tij të hapur dhe demokratik, që i jep çdo qytetari mundësinë për të qenë pjesë e garës dhe përfaqësimit politik. “Jam këtu jo për rrotacion, por për të shprehur ambicien për një mirëqeverisje të nesërme. Dua të jem zëri i qytetarëve në Kuvend – për pensione të dinjitetshme, për një mbështetje sociale më efektive, për përmirësimin e infrastrukturës dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë,” – deklaroi ajo.
Alidina u bëri thirrje qytetarëve të Korçës që të mbështesin alternativën që përfaqëson, duke theksuar rëndësinë e listave të hapura dhe përfshirjes qytetare në politikë. Ajo i cilësoi ndryshimet ligjore të imponuara nga partitë e mëdha si një kërcënim për demokracinë dhe përfaqësimin real të qytetarëve.
“Vota për numrin 4 nuk është thjesht një opsion, është një mision për ta kthyer Parlamentin në një institucion që flet me zërin tuaj, e jo me zërin e kryetarëve të partive,” – u shpreh Alidina.
Kandidatura e saj pritet të jetë një nga më të spikaturat në qarkun e Korçës, ndërsa fushata që nis zyrtarisht këtë muaj do të fokusohet në takime me qytetarët, dëgjesa publike dhe promovimin e një programi që synon zhvillimin social dhe ekonomik të zonës.
Koalicioni Euroatlantik, i cili ka theksuar qëndrimin e tij për transparencë, garë të ndershme dhe angazhim qytetar, shënon një hap të ri në spektrin politik, ndërsa kandidatë si Laureta Alidina janë shembull i qartë i përfshirjes së figurave me integritet dhe eksperiencë në vendimmarrje.
Në prag të zgjedhjeve, qytetarët e Korçës kanë mundësinë të zgjedhin mes së shkuarës dhe një alternative që kërkon t’u rikthejë zërin dhe ndikimin në qeverisje.


