Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka lëshuar akuza të reja ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se largimi i ish-ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, ka ardhur si pasojë e refuzimit të saj për të firmosur një projekt të lidhur me të ashtuquajturin koncept “Kayo” në sektorin e shëndetësisë. Gjatë një interviste televizive në emisionin “Çim Peka Live”, ai deklaroi se kryeministri e ka pranuar vetë këtë zhvillim gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Evis Sala dha dorëheqjen nga detyra më 3 shtator 2026, ngjarje për të cilën Kolibri ka raportuar më parë.
Pretendimet për projektin në Delvinë dhe kontratat publike
Sipas pretendimeve të Ahmetajt, prej 9-10 muajsh po tentohet marrja e zonës së Delvinës për t’ia kaluar biznesmenit Ron Yeffet përmes të njëjtit model. Ai u shpreh se përmes kësaj skeme krijohet një kompani shtetërore ku pjesa më e madhe e përfitimeve u kalon subjekteve privatë. “Prej 9-10 muajsh tentojnë që të grabisin Delvinën, që t’ia japin Yeffet-it me konceptin Kayo. Shteti krijon një kompani, siç ka krijuar Kayo-n. Këtu nis: marrin vëmijët 80% dhe 20% shteti i shkretë”, pretendoi Ahmetaj.
Ish-zëvendëskryeministri akuzoi gjithashtu qeverinë se po ngre struktura që marrin kontrata publike pa konkurrencë. “Vëmijët nuk hedhin asnjë cent, por thithin gjakun e shqiptarëve. Këto janë krijesa të Ramës”, tha Ahmetaj, duke pretenduar se një skemë e ngjashme po përgatitet edhe për sektorin e shëndetësisë me partnere izraelitë. “E ka deklaruar dhe në grup: ministrja iku se nuk firmosi, por ‘ne do të bëjmë një gjë fantastike, pa tender, me izraelitë’. Ky është roli i Yeffetit”, deklaroi ai.
Kritikat ndaj deputetëve të mazhorancës
Në vijim të fjalës së tij, Ahmetaj kritikoi deputetët socialistë për mungesën e reagimit ndaj akuzave të ngritura prej tij. “Nuk i kuptoj deputetët e partisë time që nuk bëjnë zë për plaçkitjen. Bëjnë zë për asgjë, por nuk flasin për kalibrin ndërkombëtar të grabitjes dhe për këto që janë praktikisht mafia shtetërore”, u shpreh ai. Ish-zyrtari i lartë pretendoi se bëhet fjalë për devijim të parave të buxhetit përmes skemave që i cilësoi kriminale, ndërsa përmendi edhe një person që e identifikoi si “Ermal Raketa”, për të cilin tha se është bërë ministër i Mbrojtjes.


