Rreth tridhjetë robotë marshuan para Ministrisë Polake të Politikave Dixhitale për të kërkuar vendosjen e rregullave dhe kontrollin mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës.
Pajisjet e automatizuara, nga robotët humanoidë me dy këmbë deri tek modelet me katër këmbë, lëvizën përgjatë trotuarit duke mbajtur flamuj dhe duke transmetuar thirrje nëpërmjet altoparlantëve, si: “Le të mbrojmë vendet e punës”, “Është koha për të vendosur rregulla” dhe “Mos prisni, rregulloni”. Roboti humanoid Agibot A3 deklaroi për AFP-në: “Robotët janë këtu për të treguar se kjo teknologji është tashmë një realitet”.
Kërkesat për mbrojtjen e vendeve të punës
Tubimi u organizua nga iniciativa Democratism, e cila synon të nisë një debat mbi “pasojat sociale dhe ekonomike të automatizimit” të sjellë nga inteligjenca artificiale. Organizatori Gregorj Kulis, drejtues i një kompanie robotike IT, kryetar i një agjencie punësimi dhe ish-anëtar në Këshillin e Tregut të Punës, u shpreh: “Ne duam të shqyrtojmë çështjen e zëvendësimit të mundshëm të njerëzve, si nga robotët humanoidë ashtu edhe nga inteligjenca artificiale, në profesionet intelektuale”. Kulis shtoi gjithashtu: “Nëse një robot i tillë është disa herë më efikas dhe më i lirë, pak menaxherë biznesi do të thonë: ‘Do të vazhdoj të punësoj njerëz’”.
Reagimi institucional dhe kuadri ligjor
Protestën e ndoqi nga afër edhe Ministri i Politikës së Qeverisjes Dixhitale, Krzysztof Gawkowski, i cili theksoi: “Modelet e pakontrolluara të IA-së, të ngulitura në humanoide që do të vazhdojnë të evoluojnë sipas tyre ndërsa robotika përparon, janë një problem i madh”. Në korrik, Presidenti i Polonisë Karol Nawrotski nënshkroi dokumentin për zbatimin e rregullores evropiane mbi inteligjencën artificiale (Akti i IA-së), përmes së cilës u ngrit autoriteti kombëtar përgjegjës për zbatimin e këtyre normave ligjore.


