Afati për plotësimin online të Sondazhit Kombëtar të Studentëve (SKS) është zyrtarisht shtyrë nga data 23 maj në 6 qershor 2025. Ky vendim është marrë në funksion të garantimit të një pjesëmarrjeje sa më të gjerë të studentëve, duke pasur parasysh ndikimin e ditëve të pushimeve zyrtare në ritmin dhe kohëzgjatjen e këtij procesi.
Sipas koordinatorit institucional për këtë proces në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, Artur Prifti megjithëse nuk ka ende të dhëna të sakta mbi nivelin e plotësimit të sondazhit në universitetin e Korçës, reagimi i parë i studentëve ka qenë pozitiv dhe ka interes për të kontribuar.
Sondazhi është një iniciativë e rëndësishme kombëtare që zhvillohet çdo vit me qëllim vlerësimin e përvojës studentore dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri. Të gjithë studentët e universiteteve publike dhe private janë të ftuar të plotësojnë pyetësorin në mënyrë konfidenciale dhe të sigurt, duke ndarë mendimet dhe vlerësimet e tyre mbi mësimdhënien, programet akademike, kushtet në universitete dhe mbështetjen institucionale që marrin gjatë studimeve.
Linku për të plotësuar pyetësorin i është dërguar secilit student në adresën e tij personale të emailit, prandaj mjafton vetëm pak minuta për të kontribuar në këtë proces të rëndësishëm.
Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e arsimit të lartë ftojnë të gjithë studentët të shfrytëzojnë afatin e ri deri më 6 qershor, për të dhënë opinionin e tyre, duke u bërë pjesë aktive në formësimin e politikave arsimore dhe përmirësimin e cilësisë në universitete.


