Elisa Myrtollari dhe Julian Vila do të jenë dy atletët që do të përfaqësojnë Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës dhe Shqipërinë në Edicionin Veror të Lojërave Botërore Universitare FISU 2025, që do të zhvillohet në Rhine-Ruhr të Gjermanisë, nga 16 deri më 27 korrik 2025.
Studentët, të shoqëruar nga trajneria dhe pedagogia e tyre, doc. Mariela Burda, u pritën dhe morën urime të ngrohta nga rektori i universitetit, prof. dr. Lorenc Ekonomi.
Në këtë kompeticion prestigjioz, Elisa dhe Juliani do të garojnë në disiplinën e 100 metrave në mesin e rreth 8500 studentëve-sportistë nga afro 150 vende të botës. Lojërat Botërore Universitare, të njohura ndryshe edhe si Universiada, janë aktiviteti i dytë më i madh sportiv pas Lojërave Olimpike dhe përfshijnë 18 sporte të ndryshme.
Nën moton “Përsosmëri në Mendje dhe në Trup”, FISU synon të ndërthurë performancën sportive me zhvillimin intelektual dhe kulturor të studentëve nga e gjithë bota.
Elisa Myrtollari, kampione kombëtare për pesë vite radhazi në garat e 100m dhe 60m për të rritur (2019, 2021, 2022, 2023, 2024), mban disa rekorde kombëtare:
- Rekord Kombëtar për të Rinjtë në 100m (12.28 sekonda) për kategoritë U18 dhe U20
- Rekord Kombëtar në 60m për kategorinë U20 (7.87 sekonda)
- Rekord Kombëtar U18 në 200m (25.22 sekonda)

Ndërsa Julian Vila ka shënuar rezultate mbresëlënëse në garat e shpejtësisë:
- 100m: 10.93 sekonda
- 200m: 22.14 sekonda
- 400m: 50.08 sekonda

Këto arritje tregojnë jo vetëm talentin, por edhe përkushtimin e lartë të dy sportistëve për të garuar në nivele ndërkombëtare. Pjesëmarrja e tyre në Rhine-Ruhr 2025 është një mundësi e artë për të treguar se edhe Shqipëria ka sportistë të denjë për skenën globale.
Ceremonia zyrtare e hapjes së Lojërave Botërore Universitare do të zhvillohet më 16 korrik në Rhine-Ruhr, një zonë e njohur për traditën sportive dhe infrastrukturën moderne. Elisa dhe Juliani do të valëvitin me krenari flamurin shqiptar dhe atë të Universitetit “Fan S. Noli”, duke përfaqësuar vendin dhe universitetin e tyre në këtë skenë madhore sportive.


