KV Pogradeci për femra ka bërë zyrtare afrimin e volejbollistes austriake Elma Bajraktareviç për sezonin 2025-2026, duke rritur ndjeshëm nivelin e skuadrës në prag të një viti me objektiva të larta.
Bajraktareviç, një emër i njohur në arenën ndërkombëtare, vjen nga kampionati austriak me një bagazh të pasur përvoje në ligat e Europës Qendrore dhe me paraqitje të shumta në përfaqësuesen e Austrisë. E njohur për saktësinë në sulm dhe qetësinë në momente vendimtare, Elma shihet si një lider brenda fushës dhe një shembull profesionalizmi për ekipin pogradecar.
Sipas drejtuesve të klubit, afrimi i saj është pjesë e një projekti më të madh për ndërtimin e një skuadre të fortë dhe pretendente për elitën e volejbollit shqiptar.
“Me Elma-n forcojmë grupin dhe i afrohemi më shumë objektivave tona. Ajo është një lojtare me cilësi të larta dhe mentalitet fitues,” thuhet në deklaratën e klubit.
Pogradeci Femra hyn në sezonin e ri me ambicie të qarta: të ngjitet në nivelet më të larta të kampionatit dhe të përfaqësojë denjësisht qytetin në çdo sfidë. Me përforcime si Bajraktareviç, rruga drejt këtij qëllimi bëhet më e sigurt.


