F.Q., një i dënuar në një nga institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, ka kaluar një transformim rrënjësor falë një procesi të strukturuar rehabilitimi që vendosi në qendër të tij shëndetin mendor dhe artin si mjet shërimi.
Në fillim të dënimit, ai përjetonte një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike, me simptoma të dukshme depresioni, izolimi dhe vështirësi në komunikim. Përballë kësaj situate, stafi multidisiplinar ndërhyri me një qasje gjithëpërfshirëse që përfshinte trajtim mjekësor, terapi psikologjike dhe mbështetje sociale.
Një nga elementët kyç të këtij procesi ishte art-terapia, veçanërisht piktura, e cila u kthye në një kanal të fuqishëm vetëshprehjeje dhe qetësimi emocional për F.Q. Fillimisht, veprat e tij artistike pasqyronin errësirën dhe dhimbjen e brendshme, por me kalimin e kohës, ngjyrat, format dhe mesazhet filluan të ndryshonin – një pasqyrim i qartë i progresit të tij të brendshëm.
Sot, gjendja e tij psikologjike është ndjeshëm më e stabilizuar dhe qasja e tij ndaj jetës më reflektuese. Ai është kthyer në një shembull frymëzimi për të tjerët, duke treguar se me përkushtim, mbështetje dhe kujdes të vazhdueshëm, shpresa dhe ndryshimi janë gjithmonë të mundshme.
Punimet e tij tashmë janë ekspozuar në ambientet e institucionit si pjesë e një iniciative për rehabilitim përmes artit, nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe stafit profesionist.


