Armando Broja është pranë nisjes së një kapitulli të ri në karrierën e tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare pritet të kryejë gjatë fundjavës vizitat mjekësore me klubin e Bërnlit dhe më pas të firmosë një kontratë pesëvjeçare, që do të finalizojë kalimin e tij përfundimtar nga Chelsea te skuadra e Premier Ligës.
Pas vitesh me huazime dhe periudha të vështira të ndërprera nga dëmtime, Broja largohet nga “Stamford Bridge” për të kërkuar vazhdimësi dhe hapësirë të garantuar në fushë. Sipas burimeve të mediave britanike, Bërnli do të paguajë rreth 20 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit, një shumë që e rendit atë ndër transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollistëve shqiptarë.
Më konkretisht, Broja pozicionohet në vendin e dytë në listën e transferimeve më të mëdha për përfaqësuesit kuqezi, pas Marash Kumbullës, i cili u transferua nga Verona te Roma për 26.5 milionë euro. Pas tij qëndron Kristjan Asllani, për të cilin Interi shpenzoi gjithsej 15.7 milionë euro për kalimin nga Empoli.
Në pesëshen e parë bëjnë pjesë edhe Myrto Uzuni, i cili u transferua për 12 milionë euro te Austria FC në kampionatin amerikan (MLS), dhe Ernest Muçi, që kaloi për 10 milionë euro te Besiktas në Turqi.
Ky hap i ri për Brojën mund të shënojë një pikë kthese të rëndësishme për karrierën e tij, me pritshmëri të larta për një sezon më të qëndrueshëm dhe një rikthim të plotë në formën që e bëri një nga talentet më premtues të sulmit shqiptar.


