Trajneri Sylvinho ka publikuar listën për ndeshjet e radhës me Andorrën dhe Anglinë, ndërsa surpriza më e madhe është rikthimi i sulmuesit Indrit Tuci. Futbollisti 25-vjeçar i rikthehet fanellës kuqezi pas një viti mungesë, pasi për herë të fundit ishte grumbulluar në nëntor të vitit të kaluar.
Sulmuesi lezhjan, i cili pësoi një dëmtim në fillim të këtij viti dhe qëndroi jashtë fushave deri në prill, u huazua gjatë verës nga Slavia Pragë tek Kayserispor, ku ka rifituar formën e mirë në javët e fundit.
Me Kombëtaren shqiptare, Tuci numëron 4 ndeshje dhe një asist, ndërsa synon të fitojë sërish besimin e trajnerit brazilian në sfidat e nëntorit.
Ndërkohë, rikthehet edhe Ardjan Ismajli pas mungesës së muajit të kaluar, ndërsa Marash Kumbulla vijon të jetë i dëmtuar dhe nuk është përfshirë.
Jashtë planeve të Sylvinhos mbeten sërish Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti, të cilët nuk janë grumbulluar për këto ndeshje.
Shqipëria do të luajë më 13 nëntor në transfertë ndaj Andorrës dhe tre ditë më vonë do të përballet me Anglinë në “Air Albania”.


