Voskopoja, sot një fshat malor 21 kilometra larg Korçës në lartësinë 1160 metra, u themelua në vitin 1330 nga fisniku Petro Muzaka dhe gjatë shekullit të 18-të u kthye në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, tregtare dhe politike të rajonit. Në kulmin e zhvillimit të saj mes viteve 1730 dhe 1760, kjo qendër ku bashkëjetonin popullsi vllahe dhe shqiptare përllogaritej të kishte nga 35,000 deri në 70,000 banorë.
Zhvillimi ekonomik i vendbanimit bazohej te blegtoria, përpunimi i leshit, lëkurës dhe punimi i metaleve, ndërsa rrjeti i tregtisë shtrihej deri në Venecie, Vjenë dhe Lajpcig. Më 1744 aty funksiononte “Akademia e Re” e drejtuar nga Theodore Kavallioti, ndërsa shtëpia e saj botuese prej ku dolën rreth 19 libra ishte e dyta në Perandorinë Osmane pas Stambollit. Në Voskopojë u botua fjalori i parë katërgjuhësh i Ballkanit nga Daniel Moscopolites, si dhe funksiononte një jetimore, një spital dhe rreth 24 kisha.
Rënien e qytetit historianët ia faturojnë sulmeve të njëpasnjëshme që nisën në vitin 1769 dhe kulmuan me shkatërrimin e vitit 1788 nga trupat e Ali Pashë Tepelenës, çka detyroi shpërnguljen e elitës tregtare drejt qendrave si Korça, Berati, Vjena apo Budapesti. Shkatërrimet u përsëritën gjatë Luftës së Parë Botërore në vitin 1916 dhe përsëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku ndërtesat e saj u rrafshuan tre herë.
Sot, Voskopoja është një fshat malor dhe destinacion turistik e skish. Nga trashëgimia e saj e madhe arkitekturore kanë mbijetuar gjashtë kisha ortodokse, një urë dhe një manastir, të cilat ruajnë kujtimin e historisë së saj të pasur.


