Në Rumani është arrestuar 49-vjeçari Aurel Hoxhallari, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për përfshirje në vrasjen e Devi Kasmit të ndodhur në vitin 2018. Ndalimi i tij u realizua gjatë operacionit policor të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes autoriteteve rumune dhe Interpol Tiranës, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Akuzat dhe ngjarja e vitit 2018
Sipas të dhënave zyrtare, Aurel Hoxhallari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndaj tij rëndojnë dënime dhe akuza për veprat penale të vrasjes, armëmbajtjes pa leje, trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në ekzekutimin me armë zjarri të Devi Kasmit.
Ngjarja ka ndodhur më 29 janar 2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Pas arrestimit në territorin rumun, autoritetet kanë nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt vendit tonë për vuajtjen e dënimit të caktuar nga gjykata.


