Në ujërat e liqenit në Pogradec u zhvillua edicioni i radhës i maratonës kombëtare të notit “Agron Ruvina”, një aktivitet sportiv që mblodhi mbi 100 notarë nga Shqipëria dhe vende të tjera, të cilët u sfiduan në tre disiplina të ndryshme.
Fituesit e garave dhe deklaratat e tyre
Në kategorinë e notarëve profesionistë në distancën 1100 metra, vendin e parë e zuri pogradecarja me banim në SHBA, Lizi Gusho. Pas përfundimit të garës, ajo theksoi përkushtimin për këtë sfidë: Jam shumë e lodhur por shumë e gëzuar që mora pjesë. Kjo ishte distancë e madhe. Jam stërvitur që të hënën. Kam ardhur enkas nga Amerika që të bëj maratonën. Jam shumë e gëzuar por punova shumë fort. Gara ishte shumë e fortë. Fitoren ia dedikoj kushërirës sime Mabel.
Për kategorinë e fëmijëve deri në 14 vjeç në distancën 200 metra, e para u rendit notarja Ivi Asllanaj nga klubi Stela i Tiranës. Ajo deklaroi: Ndihem shumë e lumtur. Unë kam 11 vite që merrem me notin. Ka qenë një rrugëtim i vështirë por shumë i bukur. Fitoren ia dedikoj mamit dhe babit. Ndërkohë, në radhët e djemve dhe vendi i dytë në këtë garë u rendit Albi Deda nga ekipi i Durrësit, i cili u shpreh: Ndihem shumë i gëzuar. Jam përgatitur për këtë garë. Kishte shumë konkurentë sot. Fitoren ia dedikoj trajnerit dhe babit tim.
Pjesëmarrja ndërkombëtare dhe nderimi i figurës së Agron Ruvinës
Një nga organizatorët e këtij eventi, ish-notari kampion Sotiraq Iftica, vuri në dukje shtrirjen e gjerë gjeografike të pjesëmarrësve. Këtu kishte mbi 100 notarë, nga Shqipëria, Kosova, Anglia dhe nga Maqedonia. Ky edicion ishte shumë i mirë. Kishim marrë të gjitha masat dhe ia arritëm qëllimit. Vitet e tjera themi ta organizojmë më mirë me ekipe europiane dhe ballkanike, tha Iftica.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe familjarët e ish-rekordmenit të notit, Agron Ruvina, në nder të të cilit organizohet maratona. Motra e tij, Donika Çobani, shprehu mirënjohjen: Falenderoj Bashkinë dhe Klubin e Sportit. Është dita më e gëzuar e jetës sonë. Për ne është sikur është gjallë dhe e kemi mes nesh. Në përmbyllje të maratonës, sportistët më të dalluar u vlerësuan me medalje dhe trofe.


