Një rast kontrabande mallrash është goditur nga Policia e Korçës, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë ndaluar në lagjen nr. 6 të qytetit të Korçës një automjet, i drejtuar nga shtetasi V. T. Gjatë kontrollit, në mjet janë konstatuar veshje të ndryshme pa fatura përkatëse, të dyshuara si mallra të futura në territorin e Shqipërisë nga Greqia, pa kryer procedurat e zhdoganimit.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi V. T., 49 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gjithashtu, materialet iu referuan Prokurorisë, ku nisi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj shtetasit R. M., 40 vjeç, banues në Pogradec, doganier në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, i cili dyshohet se nuk ka kryer kontrollin e automjetit sipas detyrës funksionale.
Mallrat e dyshuara si kontrabandë dhe automjeti me të cilin transportoheshin janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


