Shërbimet e Policisë Kufitare në Pogradec kanë shpëtuar dy persona të cilët kishin mbetur në vështirësi në ujërat e liqenit dhe nuk po arrinin të ktheheshin dot në breg.
Ndërhyrja e shpejtë gjatë patrullimit në liqen
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, dy shtetasit kishin dalë në liqen me një pedalinë të marrë me qira dhe ishin futur në ujë për t’u larë. Gjatë notimit, njëri prej tyre ka pësuar lodhje fizike dhe e ka pasur të pamundur të hipte sërish mbi pedalinë për t’u kthyer drejt bregut.
Efektivët e Policisë Kufitare, teksa po patrullonin sektorin liqenor në vendin e quajtur përballë “Urës”, kanë konstatuar personat që kërkonin ndihmë dhe janë afruar menjëherë, duke bërë të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen e tyre të sigurt në breg.
Apeli i Policisë për pushuesit dhe vizitorët
Pas ndihmës së dhënë, dy qytetarët kanë falënderuar efektivët e policisë për reagimin e menjëhershëm. Nga ana e saj, Policia Kufitare theksoi se mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke ftuar këdo që ndodhet në situatë nevoje të kontaktojë menjëherë në numrin pa pagesë 112.


