Një 24-vjeçar ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një përplasjeje me armë zjarri dhe thikë, të ndodhur mëngjesin e së martës në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër.
Dinamika e konfliktit dhe personat e përfshirë
Viktima është identifikuar si Ylber Luli, 24 vjeç, i cili punonte si udhërrëfyes turistik. Ngjarja është regjistruar rreth orës 05:30. Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, gjithçka dyshohet se ka nisur për motive të dobëta, duke përfshirë viktimën, babanë e tij Qamil Luli, 63 vjeç, dhe 25-vjeçarin Andri Vulaj.
Sipas të dhënave policore, i dyshuari Andri Vulaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj babë e birit, duke i plagosur. Më pas, gjatë përshkallëzimit të konfliktit, dyshohet se Qamil dhe Ylber Luli e kanë goditur 25-vjeçarin me thikë. Të tre personat janë dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor, por 24-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Veprimet hetimore dhe sekuestrimi i armës
Policia ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e të dyshuarit Andri Vulaj. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të përplasjes.
Foto ilustruese.


