Korçë: Procedime Penale dhe Zhdukje e Miture
Policia e Korçës ka nisur procedime penale për dy aksidente rrugore dhe një rast të prerjes së paligjshme të lëndës drusore.
Në Pogradec, një i mitur u kap duke vjedhur në një xhami.
Ndërkohë, në Maliq, po kërkohet një vajzë e mitur e raportuar e zhdukur nga nëna e saj.
Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë;
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një aksident rrugor në aksin “Korçë-Pogradec”, informojmë se Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. Gj., 48 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu, Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin P. Ll., 56 vjeç, banues në Korçë, pasi në bulevardin “Fan Noli”, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar lehtë një 70-vjeçar.
Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin S. L., 31 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, pasi u kap në fshatin Trebinjë, duke transportuar me kamion, 8 m sterë lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Mjeti dhe lënda drusore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për një shtetas të mitur, banues në fshatin Vërdovë, pasi dyshohet se ka vjedhur në xhaminë e fshatit, një kamer dhe disa metra kabllo elektrike, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Në Komisariatin e Policisë Maliq, është paraqitur shtetasja L. Z., 37 vjeçe, banues në Fshat Maliq, e cila ka kallëzuar se më datë 03.10.2024 është larguar nga banesa, vajza e saj e mitur. Po punohet për gjetjen e saj.